Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh se vendi nuk është përballë kushteve të ngadalësimit të procesit të integrimit.
Gjatë një bashkëbisedimi me studentë të rinj mbi ecurinë e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Rama theksoi se shumë prej informacionit që qarkullon në pasqyrat mediatike shpesh është i pasaktë, duke penalizuar cilësinë e informimit publik.
Rama nënvizoi se vendi nuk është përballë ngadalësimit të procesit, por përkundrazi, është në një moment historik ku fati po i buzëqesh shqiptarëve dhe Shqipërisë.
“Nuk e di kush e ka konstatuar këtë idenë e ngadalësimit nga pasqyrat mediatike, të cilat për fat të keq përgjithësisht janë shumë të dyshimta në ato që thonë dhe shkruajnë. Bota është bërë shumë e shpejtë, koha e informacionit është ritmike dhe përpjekja për të marrë vëmendje është frenetike, saqë shpesh nuk ka kohë për të verifikuar gjërat që thuhen. Dua të them se ne jemi në një moment ku për herë të parë në histori, fati po u buzëqesh shqiptarëve dhe Shqipërisë. Nuk ka asnjë ngadalësim të procesit të integrimit,” u shpreh Rama.
Rama solli edhe një shembull për të shpjeguar se si funksionon procesi i integrimit, duke theksuar se raportet kalojnë përmes dy niveleve: Komisionit Evropian, i cili është një strukturë objektive që jep detyrat për vendet kandidate, dhe Këshillit Evropian, ku udhëheqësit e 27 vendeve anëtare vendosin me konsensus mbi hapjen e negociatave.
“Raporti i një vendi kandidat kalon përmes dy niveleve. Kati i parë është Komisioni Evropian, i cili përbëhet nga komisionerë të zgjedhur nga vendet anëtare dhe ka mbi 35 mijë punonjës në Bruksel që merren me të gjitha fushat, përfshirë edhe vendet që duan të bëhen pjesë e BE-së. Komisioni është një mësues objektiv, nuk merret me qëndrime politike, por na jep detyrat që duhet të përmbushim. Kati i dytë është Këshilli Evropian, ku udhëheqësit e 27 vendeve anëtare shqyrtojnë raportin e Komisionit dhe vendosin me konsensus mbi hapjen e negociatave. Mjafton që një vend të thotë jo, dhe negociatat nuk hapen, sepse BE funksionon me konsensus. Këtu hyn edhe debati mbi veton, që mund të mbajë peng të gjithë të tjerët. Jemi refuzuar sepse një vend anëtar nuk na donte. Çfarë kishte me Shqipërinë? S’kishte asgjë, por kishte një problem të krijuar me shqiptarët, politikë” tha Rama.
Kryeministri Rama tha se procesi i integrimit nuk është ngadalësuar dhe dera është hapur, duke shtuar se është përgjegjësi e institucioneve dhe qytetarëve që të mos lejojnë mbylljen e saj.









