Çmimet e naftës në tregjet globale u rritën të enjten pas një fjalimi të presidentit amerikan, Donald Trump, nga Shtëpia e Bardhë, ku ai paralajmëroi për një goditje të fuqishme ndaj Iranit.
Në fjalimin e tij, Trump bëri thirrje aleatëve që të “grumbullojnë guximin” për të siguruar transportin detar në Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se SHBA-ja nuk ka nevojë për mbështetje shtesë. Menjëherë pas deklaratës, çmimet e naftës u rritën në 106 dollarë për fuçi, ndërsa aksionet në Azi ranë, rajon ku shumë vende varen nga nafta e Lindjes së Mesme.
Para fjalimit të presidentit, ministria e jashtme e Iranit hodhi poshtë pretendimin e Trump për kërkesën e një armëpushimi, duke e cilësuar atë si “të rremë dhe të pabazë”. Në përgjigje, një zëdhënës i ushtrisë iraniane paralajmëroi për sulme të ardhshme “shkatërruese dhe më të gjera”.
Nga fjalimi i Trump mungoi çdo përmendje e NATO-s, çka u bë më e dukshme pas deklaratës së tij për gazetën Telegraph, ku ai e quajti aleancën “tigër letre” dhe nuk përjashtoi mundësinë e rishqyrtimit të anëtarësimit të SHBA-së.
Ndërkohë, krerët e 35 vendeve nënshkruan së fundmi një deklaratë të përbashkët, duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar në përpjekjet për të siguruar kalim të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit dhe për të gjetur zgjidhje diplomatike dhe politike të qëndrueshme.
Në këtë samit pritet të marrin pjesë virtualisht Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Australia dhe shtetet e Gjirit, ndërsa SHBA-ja nuk do të jetë e pranishme.
Trump gjithashtu sugjeroi se ngushtica, një rrugë detare strategjike, mund të hapet “automatikisht” pas përfundimit të konfliktit.









