Të premten, kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq do t’u përgjigjet pyetjeve të përfaqësuesve të klubeve parlamentare, në seancën e veçantë të seancës së parë të rregullt të Kuvendit të këtij viti.
Kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) Danijell Zhivkoviq do të pyesë Spajiqin a do të japë dorëheqje nëse Gjykata Administrative konstaton se ai ka vepruar në mënyrë të paligjshme gjatë emërimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Drejtorisë së Policisë Aleksandër Radoviq.
Zhivkoviq pyeti gjithashtu nëse Qeveria dhe shumica parlamentare kanë rënë dakord për politika nga të cilat në masë të madhe varet përshpejtimi i procesit integrues, orientimi euroatlantik i politikës së jashtme dhe anëtarësimi i besueshëm në NATO.
“A do të ishit të gatshëm të propozoni shkarkimin e atyre në Qeveri që devijojnë nga këto synime që ju i keni shpallur në fillim të mandatit tuaj”, ka pyetur Zhivkoviq.
Miodrag Lakoviq, deputet i Lëvizjes „Evropa Tani“, do të pyesë Spajiqin se si planifikon të mbrojë shoqërinë malazeze, sistemin zgjedhor dhe demokracinë nga veprimet subversive, të cilat u dëshmuan gjatë aferës Do Kwon.
Kryetari i Partisë Popullore Demokratike, Millan Knezheviq, është i interesuar të di nëse ka plan që të nënshkruaj një marrëveshje ndërqeveritare me Serbinë për shtetësinë e dyfishtë.
Kreu i Lëvizjes Qytetare URA do ta pyesë Spajiqin se “cili është roli i dajës në politikën dhe vendimmarrjen e personelit në Qeverinë e Malit të Zi”.
Edhe deputetë të tjerë në Parlamentin e Malit të Zi do ti parashtrojnë pyetje kryeministrit të Malit të Zi, Millojko Spajiq, të cilat do të keni mundësi ti ndiqni gjatë seancës ditën e premte.