Si të Përgatisni Gurabiet e Famshme të Kuqe

Gurabiet e dikurshme me sheqer të kuq, apo siç njihen për një pjesë të shqiptarëve “Gurabie 5 lekëshe” janë fantastike me një shije unike dhe tipike shqiptare.

Krahas shijes së tyre të ëmbël dhe të butë, për një brez të tërë shqiptarësh sidomos brezit para viteve ’90 këto gurabie sjellin një nostalgji të veçantë të kujtimeve të fëmijërisë, pasi ishin ndër të vetmet ëmbëlsira me të cilat jo vetëm të vegjëlit por edhe të rritur ëmbëlsoheshin.

Edhe sot, edhe pse pastiçeritë dhe dyqanet e ëmbëlsirave janë përplot të mbushura me ëmbëlsira të shumë llojshme, gurabiet me sheqer të kuq kanë padyshim vendin e tyre dhe mbeten ndër më të preferuarat e shqiptarëve, për shijen dhe kujtimet e dikurshme gjithashtu.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën e veçantë të përgatitjes së këtyre gurabieve krejt lehtë, si një mënyrë fantastike për të sjellë në shtëpi shijen dhe ëmbëlsinë e dikurshme të kujtimeve të fëmijërisë.

Përgatitja e Gurabieve të Kuqe  

1 kg miell

500 gr sheqer

2 të verdha veze

2 gota e gjysmë ujë (375 ml)

100-150 ml vaj ulliri ose gjalpë tër tretur

1 lugë kafeje sodë buke

Përgatitja e Kremit të Kuq

Pak ngjyrues të kuq ëmbëlsirash (e gjeni në markete)

1 të bardhë veze

250 gr sheqer pluhur

Përgatitja

Në një tas të madh hedhim miellin dhe sodën e bukës. AgroWeb.org ju udhëzon t’i përzjeni mirë me njëra tjetrën dhe dhe më pas të hapni një gropë në mes ku do të hidhni sheqerin, vajin e ullirit ose gjalpin, të verdhat e vezës.

Përzjeini mirë të gjitha bashkë dhe më pas shtoni ujin.

Brumin punojeni me duar dhe shpejtë. Brumi do të jetë pak i lëngshëm.

E vendosim brumin në tavolinën e kuzhinës, hedhim pak miell dhe e hapim me kujdes përmes një petësi.

Petën e hapim me një trashësi rreth 1.5 cm.

Presim biskotat në forma rrumbullake përmes një thike ose nëse kemi forma ëmbëlsirash.

I nxjerrim nga forma dhe i vendosim në një tavë ku kemi shtruar letër pjekjeje.

Futini të piqen në furrë të parangrohur në 200 gradë përreth 20 minuta.

Përgatitja e kremit të kuq   

Në një enë qelqi, AgroWeb.org ju udhëzon të rrihni të bardhën e vezës dhe më pas të shtoni sheqerin pluhur.

Trazojeni me kujdes derisa masa të bëhet e njëtratshme.

Në fund, shtoni nga pak ngjyruesin derisa të arrihet ngjyra tipike e kuqe.

Pasi biskotat të jenë ftohur, lyejini me kremin e përgatitur dhe lërini të ftohet derisa kremi me sheqerin e kuq të ngurtësohet dhe të ngrijë./AgroWeb.org

SHARE