AKSIDENTI HEKURUDHOR NË GREQI, RRITET NË 46 NUMRI I VIKTIMAVE

Numri i viktimave nga aksidenti hekurudhor që ndodhi dje në Greqi është rritur në 46.

Në lajmet e Televizionit Shtetëror grek ERT thuhet se 46 persona humbën jetën në aksidentin ku disa vagonë dolën nga shinat dhe vagonët e përparmë u dogjën si pasojë e përplasjes së trenit të pasagjerëve dhe trenit të mallrave në rajonin e Tempit në veri të qytetit Larissa.

Më tej thuhet se vazhdon trajtimi i 57 personave, 6 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Ka pasur vështirësi në njohjen e disa kufomave të nxjerra nga rrënojat gjatë përpjekjeve të kërkim-shpëtimit për shkak të zjarrit që shpërtheu gjatë aksidentit ndërsa familjet e të zhdukurve kanë dhënë mostra për analizë të ADN-së.

Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropulu, kryeministri Kiryakos Mitsotakis, ministri i Shëndetësisë Thanos Plevris, kreu i opozitës kryesore Aleanca e Majtë Radikale (SYRIZA) Aleksis Tsipras dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Nikos Hardalias shkuan në zonën ku ndodhi aksidenti dhe u informuan për situatën.

Qeveria greke ka shpallur tre ditë zie kombëtare pas aksidentit hekurudhor më vdekjeprurës në historinë e vendit.

Në kryeqytetin Athinë, dje ka ndodhur një përplasje mes protestuesve dhe policisë lidhur me përplasjen e trenave.

Mijëra protestues, të cilët u mblodhën para godinës ku ndodhen zyrat e “Hellenic Train”, mbanin një tabelë ku shkruhej “Nuk është aksident, është vrasje”.

Policia iu përgjigj me gaz lotsjellës protestuesve të cilët nuk donin të largoheshin nga vendet e tyre.

SHARE