KRYEDIPLOMATJA E BE-së MBI BISEDIMET PËR UKRAINËN: NJË JAVË SHUMË E RËNDËSISHME PËR DIPLOMACINË

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas deklaroi se kanë dëgjuar që bisedimet e mbajtura dje midis SHBA-së dhe Ukrainës në kuadër të negociatave të paqes kanë qenë “të vështira, por produktive”, transmeton Anadolu.

“Mund të jetë një javë shumë e rëndësishme për diplomacinë”, theksoi Kallas duke folur për mediat përpara takimit të ministrave të Mbrojtjes të BE-së, e cila vuri në dukje se ajo dhe ministrat do të diskutojnë mbështetjen e dhënë për Ukrainën dhe projektet e mbrojtjes të BE-së.

Kallas mbrojti idenë se Rusia nuk dëshiron paqe dhe shtoi se ata duhet ta forcojnë Ukrainën sa më shumë që të jetë e mundur. Ajo tha se ende nuk i dinë rezultatet e bisedimeve të djeshme midis SHBA-së dhe Ukrainës dhe se ministri ukrainas i Mbrojtjes, Denys Shmyhal dhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha do t’i informojnë ministrat sot. “Kjo mund të jetë një javë shumë e rëndësishme për diplomacinë. Dëgjuam se bisedimet në SHBA dje ishin të vështira, por produktive”, tha Kallas.

Kryediplomatja e BE-së kritikoi mundësinë që ushtria ukrainase të përballet me disa kufizime sipas një marrëveshjeje të mundshme paqeje. “Nëse do të ushtrohet presion mbi Ukrainën, ushtria e së cilës nuk ka pushtuar asnjë vend, atëherë duhet të ushtrohet presion edhe ndaj ushtrisë ruse”, theksoi Kallas.

“Në fakt, është ushtria ruse ajo që përbën rrezik të vërtetë për të gjithë. Nuk po flas vetëm për vendet evropiane këtu, por për të gjitha vendet fqinje të Rusisë”, potencoi ajo.

Delegacionet amerikane dhe ukrainase u takuan dje në Florida, të kryesuara nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, për të diskutuar planin e paqes të SHBA-së.

Rubio dhe Umerov deklaruan se patën takim shumë të dobishëm dhe produktiv.

Delegacionet amerikane dhe ukrainase u takuan më parë në Gjenevë të Zvicrës më 23 nëntor për të diskutuar planin e paqes prej 28 pikash të paraqitur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

SHARE