Shefat e diplomacisë të pesë vendeve të Evropës Juglindore, pjesëmarrëse në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në margjinat e Këshillit të 30-të Ministerial të OSBE-së, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për luftimin e korrupsionit në këtë rajon.
Deklarata u nënshkrua nga Bujar Osmani, kryesues i OSBE-së dhe ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, së bashku me homologun e tij shqiptar, Igli Hasani, atë serb, Ivica Daçiq, atë boshnjak, Elmedin Konakoviq dhe atë malazez, Filip Ivanoviq.
Ministri Osmani njoftoi se miratimi i deklaratës së përbashkët është organizuar në bashkëpunim me departamentin e OSBE-së për kërcënime transnacionale dhe zyrën e koordinimit për aktivitete ekonomike dhe mjedisore të OSBE-së.
Osmani tha se si kryesues i OSBE-së, luftën kundër korrupsionit ai e ka vendosur si “prioriteti numër një” për rajonin e Evropës Juglindore, krahas pajtimit dhe ndërtimit të besimit.
“Ajo është një sfidë e përbashkët me të cilën përballemi, një çështje në të cilën ne mund në të vërtetë të bashkohemi dhe ta adresojmë së bashku. Ky ishte qëllimi i ngjarjes dhe unë jam i kënaqur se mbi 70 ekspertë nga rajoni, krahas zyrtarëve shtetërorë dhe partnerëve ndërkombëtarë, u bindën të diskutojnë një rrugë përpara në këtë përpjekje për të çrrënjosur korrupsionin me një fokus të veçantë në rikuperimin e aseteve”, tha Osmani.
Ndërkaq, ministri Hasani tha se për luftimin e korrupsionit rajoni ka nevojë për vullnet politik, duke theksuar se “ka vullnet politik në këtë tavolinë”.
Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Filip Ivanoviq, theksoi nevojën për të ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar bashkëpunimin rajonal në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke shtuar se nënshkrimi i deklaratës së përbashkët është fokusuar pikërisht në këtë.
Ai gjithashtu përsëriti angazhimin e qartë të Malit të Zi për t’u përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, tha se korrupsioni është ndër arsyet kryesore pse njerëzit po largohen nga vendet e rajonit, duke shtuar se korrupsioni është një problem transnacional.
Kryediplomati serb, Ivica Daçiq, në fjalën e tij tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të ekzistojë pa aksione gjithëpërfshirëse dhe të koordinuara, si dhe pa bashkëpunim ndërkombëtar.