KOSOVË, DEBATE PËR RAPORTIN E BE / MAZHORANCA DHE OPOZITA E KANË INTERPRETUAR NË MËNYRA TË NDRYSHME PROGRES-RAPORTIN

Kuvendi i Kosovës ka debatuar për raportin e progresit që Kosova e ka pranuar të mërkurën.

Deputetët e pushtetit i interpretuan gjetjet e këtij raporti sikur arritje të vendit, duke thënë që Kosova ka shënuar përparim në shumë fusha.

Fjolla Ujkani, deputet, LVV: Gjatë tre viteve të fundit, raportet e Komisionit Evropian kanë theksuar arritjet e rëndësishme legjislative të Kosovës në kriteret politike dhe progresin e saj në përmbushjen e standardeve ekonomike dhe të Bashkimit Evropian

Megjithatë, opozita e pa këtë si mashtrim të qytetarëve. Deputetët opozitarë cilësuan se vendi nuk ka qenë në këtë situatë asnjëherë më parë, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme dhe sektorë të tjerë.

Haki Abazi,  deputet i pavarur: Mjaft më me gënjeshtra, popullin duhet me dalë me e pa në sy për situatën dhe realitetin në të cilin jemi, jemi me masa, jemi nën sanksione.

Driton Selmanaj, deputet, LDK: Kur e dëgjoja fjalimin e përfaqësuese së grupit më të madh politik të Kuvendit të Kosovës, për raportin e progresit thash mos e kanë ndryshu me inteligjencë artificiale, sepse unë e kam lexuar një dokument tjetër. Të dhënat që janë aty, janë më shumë se shqetësuese.

Një nga to që përmendet më së shumti dhe nuk ka qenë në raportet e kaluara, është centralizim tek pushteti ekzekutiv tek të gjitha temat dhe çështjet, tek reforma në gjyqësor dhe çka është më e dëmshme, cenimi i lirisë së shprehjes.

Sipas raportit të Komisionit Evropian, nga 38 fusha, Kosova ka pasur përparim pozitiv në katër, pak progres në pesë dhe progres të limituar në një fushë.

SHARE