GAZA SËRISH PA QASJE NË INTERNET, TEKSA TRUPAT IZRAELITE LUFTOJNË ME HAMASIN

Palestinezët kanë raportuar sërish për ndërprerje të shërbimeve të internetit dhe të telefonisë mobile në Gazë më 1 nëntor, disa orë pasi sulmet izraelite rrafshuan ndërtesa banimi afër qytetit të Gazës dhe teksa trupat tokësore po luftojnë me militantët e Hamasit brenda territorit të rrethuar.

Kompania palestineze e telekomit, Paltel, raportoi për “ndërprerje të plotë” të shërbimeve të internetit dhe telefonisë mobile. Kjo është hera e dytë në pesë ditë që banorët mbesin pa kontakt me botën jashtë. Shërbimet e komunikimit u ndërprenë edhe gjatë fundjavës, përderisa një numër i madh i trupave izraelite u futën në Gazë.

Agjencitë e ndihmës humanitare kanë paralajmëruar se ndërprerjet e këtyre shërbimeve pengojnë rëndë punën e tyre, teksa situata humanitare në Gazë veçse është e rënduar pasi gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë palestinezësh janë zhvendosur dhe janë duke mbaruar furnizimet bazike pas më shumë se tre javë luftë që u nxit nga sulmet e përgjakshme të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor.

Përpjekjet për të telefonuar banorët brenda Gazës mëngjesin e së mërkurës ishin të pasuksesshme. Grupi avokues për qasje në internet, NetBlocks.org konfirmoi se Gaza është “në mes të një ndërprerje totale” që është e ngjashme me situatën që u krijua gjatë fundjavës.

Një ditë më herët, një breshëri sulmesh ajrore rrafshuan ndërtesa banimi në një kamp refugjatësh afër qytetit të Gazës. Drejtori i një spitali aty pranë tha se kanë pranuar viktima, por shtoi se qindra persona u plagosën ose u vranë. Numri i saktë i viktimave ende nuk dihet.

Izraeli tha se sulmi, që shënjestroi liderin e lartë ushtarak, Ibrahim Biari, ka shkatërruar një qendër komanduese të militantëve dhe një rrjet tunelesh nën tokë. Sipas Izraelit, gjatë sulmit janë vrarë dhjetëra luftëtarë.

SHARE