Kuvendi i Malit të Zi pas pesë orësh miratoi rendin e ditës, pika e parë e së cilës është propozim-amandamenti i Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, i propozuar nga Fronti Demokratik. Si shtesë e rendit të ditës së sotme, (FD) propozoi dhe shumica prej 41 deputetësh e pranuan, që pika e parë të jetë ndryshimi i Ligjit për Presidentin e Malit të Zi. Miratimi i amendamenteve të atij ligji do t’i mundësonte liderit të Demos, Miodrag Lekiq, i cili ka mbështetjen e shumicës në parlament, të formojë një qeveri të re, megjithëse presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, refuzoi t’i jepte një mandat për ta bërë këtë.
Duke shpjeguar ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Malit të Zi, deputeti i FD-së, Predrag Bullatoviq tha se propozimin për ndryshime në ligj e kanë dorëzuar 20 deputetë. Ai po ashtu ka kërkuar që ai ligj të jetë pika e parë e rendit të ditës, gjë që kryetarja e Kuvendit e ka pranuar. Bullatoviq sugjeroi gjithashtu që sot të votohen amendamentet e atij ligji. PDS, SDP, SD dhe PL thanë se ndryshimet e propozuara në ligj paraqesin shkatërrim të Kushtetutës së Malit të Zi. Kryetarja e Kuvendit, Danijela Gjurivoq, nuk e ka pranuar kërkesën e PDS-së që shërbimi ekspert i Kuvendit të Malit të Zi të deklarohet për ndryshimet e ligjit.
Deputetët e PDS-së në konferencën për media thanë se propozimi për ndryshimin e Ligjit për Presidentin e anulon rregullimin kushtetues dhe se nga sot, siç thanë ata, kemi anarki të plotë në vend. “Kjo anarki është rezultat i ikjes nga gjendja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare”, tha deputeti i PDS-së, Danijel Zhivkoviq.