LIDERË BOTËRORË REAGOJNË NDAJ OFENSIVËS SË IZRAELIT NË LIBAN

Liderët botërorë i kanë bërë thirrje Izraelit që të shmangë një pushtim të plotë të Libanit, pasi ushtria izraelite tha se kishte nisur operacione tokësore si pjesë e përballjes së saj të fundit me Hezbollahun, grupin militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

Dy rivalët e kahmotshëm janë përfshirë në përplasje më të vogla që nga shpërthimi i luftës në Gazë, por tensionet janë rritur ndjeshëm javët e fundit, ndërsa Izraeli ka zhvendosur fokusin e tij në kufirin verior dhe ka kryer një sulm në të cilin u vra kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Vetë Hezbollahu mohoi që trupat izraelite të kishin kaluar në Liban.

Hezbollahu është e shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërkaq Bashkimi Evropian e ka futur në listë të zezë krahun e tij ushtarak, por jo edhe partinë politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Shefi i OKB-së kërkon armëpushim të menjëhershëm

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje të martën për një armëpushim të menjëhershëm në Liban dhe për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

“Një luftë e plotë duhet të evitohet në Liban me çdo kusht”, tha Dujarric në një deklaratë, duke shtuar se Guterres foli me kryeministrin e përkohshëm të Libanit, Najib Mikati, më herët gjatë ditës, duke i thënë se OKB-ja ishte e gatshme t’i ndihmonte ata që kishin nevojë.

“Sekretari i Përgjithshëm do të vazhdojë kontaktet e tij, dhe përfaqësuesit e tij në terren gjithashtu do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të qetësuar situatën”, tha Dujarric.

SHBA: Mbështetje e kufizuar

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, deklaroi më 30 shtator se ishte kundër dërgimit të trupave izraelite në Liban, duke shtuar se “duhet të kemi një armëpushim tani”.

Megjithatë, disa orë më vonë, sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dha mbështetjen e Uashingtonit për
“shkatërrimin e infrastrukturës sulmuese përgjatë kufirit”.

BE: Koha që armët të heshtin dhe të flasë diplomacia

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka përsëritur thirrjet e bllokut evropian për armëpushim të menjëhershëm dhe u ka kërkuar të dyja palëve të “tregohen të pëmbajtur në interes të de-përshkallëzimit të situatës”.

“Armët duhet të heshten tani dhe zëri i diplomacisë duhet të flasë dhe të dëgjohet nga të gjithë”, thuhet në deklaratën e shefit të politikës së jashtme të BE-së.

Borrell shprehu keqardhje për dëmet e shkaktuara tashmë në Liban dhe për numrin e madh të personave të zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Liban dhe Izrael.

“Gjuajtja e raketave që Hezbollahu ka lëshuar në territorin izraelit që nga 8 tetori duhet të ndalet. Sovraniteti i Izraelit dhe Libanit duhet të garantohet. Çdo ndërhyrje ushtarake e mëtejshme do ta përkeqësonte ndjeshëm situatën”, shtoi Borrell.

SHARE