Kryetari i Komunës së Tuzit, komunë në kuadër të Kryeqytetit, Abedin Axhoviq, deklaroi se Komunës së sapoformuar të Tuzit do të duhej t’i përkasin të ardhurat nga kompania “Plantacionet 13 korriku”, ndërsa kur bëhet fjalë për pronat gjithçka që është shfrytëzuar deri tani nga Komuna në Kuadër të Kryeqytetit, duhet të jetë në pronësi të Komunës së Tuzit.
“Kur është fjala për prona, pres që e gjithë prona të cilën e ka përdorur deri tani, Komuna e Tuzit, komunë në kuadër të Kryeqytetit, të jetë në pronësi të Komunës së Tuzit , kurse të ardhurat nga kompania “Plantacionet 13 korriku”, ti përkasin komunës së Tuzit”, deklaroi Axhoviq, për portalin e Radio Televizionit të MZ.
Axhoviq duke theksuar se edhe në periudhën e ardhshme pret që të mos të ndërpritet mbështetja nga Kryeqyteti i Podgoricës, theksoi se komuna Tuzit, pret po ashtu ndihmë edhe nga niveli shtetëror.
“Ndihmë nga shteti pres për shkak se disa projekte të rëndësishme tashmë vetëm se janë përfshirë në buxhetin kapital të Malit të Zi. Do të përmend disa prej tyre siç është Bulevardi Podgoricë-Tuz, kopshti në Tuz dhe Shkolla Fillore në Dheun e Zi“, deklaroi Axhoviq.
Sipas tij realizimi i disa prej këtyre projekteve vetëm se ka filluar dhe është i bindur se këto punime do të rrjedhin sipas dinamikës së planifikuar.
Duke folur për lëvizjet e para të vetëqeverisjes së re lokale, Axhoviq tha se do të punojnë në krijimin e kushteve për fillimin e punës së komunës së sapokrijuar, ndarjen e pronës dhe caktimin e kufijve territorial me Podgoricën dhe krijimin e një kuadri normativ. Axhoviq, gjithashtu pret ndihmë edhe nga Diaspora.
“Unë besoj se zhvillimi i secilës komunë varet në një farë mënyre nga gatishmëria e Diasporës për të investuar në të, prandaj pres që Diaspora jonë do të njohë interesin për të investuar në Tuz, duke pasur parasysh se unë jam në kontakt me Diasporën, më inkurajon vullneti dhe interesi i tyre për investime”, tha Axhoviq.