THIRRJA E PAPA LEON XIV: HIQNI DORË NGA LOGJIKA E ARMËVE

Papa Leon XIV bëri thirrje për t’i dhënë fund “pandemisë së armëve” gjatë lutjes së tij të dielën në Vatikan, duke kujtuar fëmijët e shumtë të vrarë nga konfliktet dhe dhuna në mbarë botën.

Pontifi amerikan përsëriti apelin e tij për një ndërprerje të menjëhershme të zjarrit, duke iu referuar sulmit rus mbi Kievin të enjten, ku humbën jetën të paktën 25 persona, përfshirë katër fëmijë, si dhe sulmit të fundit në një shkollë në Minnesota të SHBA-së, ku u vranë dy fëmijë.

Në fjalën e tij, Papa tha: “Ne i përfshijmë në lutjet tona fëmijët e vrarë dhe të plagosur çdo ditë në mbarë botën. Le të lutemi që Zoti të ndalojë pandeminë e armëve, të mëdha dhe të vogla, që infekton botën tonë.”

Ai theksoi se bota nuk duhet të dorëzohet ndaj indiferencës dhe bëri thirrje për një angazhim serioz për dialog dhe paqe.

“Është koha që ata që mbajnë përgjegjësi të heqin dorë nga logjika e armëve dhe të ndjekin rrugën e negociatës dhe paqes, me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar,” shtoi Papa Leon XIV.

SHARE