Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në Forumin Strategjik të Bledit vlerësuan se marrëdhëniet e mira mes dy vendeve janë me rëndësi strategjike, jo vetëm për Malin e Zi dhe Kroacinë, por edhe për gjithë rajonin.
“Marrëdhëniet më të mira të mundshme mes Malit të Zi dhe Kroacisë janë interes i përbashkët dhe qëllim strategjik, pasi ndikojnë në stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit,” u theksua gjatë takimit.
Në takim u vlerësua veçanërisht mbështetja e vazhdueshme e Kroacisë për integrimin evropian të Malit të Zi.
Plenkoviq përgëzoi vendimin e Qeverisë së Malit të Zi për t’ia dhënë Kroacisë godinën e Kulturës “Josip Markoviq”, duke e cilësuar këtë një akt miqësie dhe dëshirë për zgjidhjen e çështjeve të hapura në frymën e fqinjësisë së mirë.
“Në këtë frymë do të vazhdojmë të punojmë për të ardhmen e përbashkët të vendeve tona,” tha Plenkoviq.
Në takim u diskutua edhe për përparimin e kapitujve negociues në konferencën ndërqeveritare mes BE-së dhe Malit të Zi që do të mbahet deri në fund të vitit.
Spajiq dhe Plenkoviq u shprehën mbështetje ministrave të jashtëm për vazhdimin e dialogut të rregullt mbi çështjet e hapura, ndërsa shefat e diplomacisë, Filip Ibrahimoviq dhe Gordan Radman Grliq, vlerësuan punën deri tani të trupave ndërqeveritare si një bazë të mirë për arritjen e marrëveshjeve.
Në takim u nënvizua edhe rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ekonomik përmes investimeve, përmirësimit të shkëmbimit tregtar dhe hapjes së mundësive të reja në fusha me interes të përbashkët.