PRESIDENCA THOTË SE PO “ANALIZON PROCESIN E KONSTITUIMIT” TË KUVENDIT

Ekipi ligjor në Presidencën e Kosovës është duke bërë “analiza” lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit, i cili u shpall “i përmbyllur” nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, gjatë seancës konstituive të mbajtur më 30 gusht.

Kështu u tha në njoftimin për media të lëshuar nga Presidenca pas takimit të presidentes, Vjosa Osmani, me kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, të hënën, më 1 shator.

“Në këtë takim, kryetari Basha e ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, presidentja Osmani e ka informuar kryetarin Basha se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës”, u tha në njoftim.

Sipas Presidencës, Osmani do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, me qëllim që të garantohet stabiliteti institucional dhe “respektimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës”.

Ndërkaq, Basha më herët gjatë ditës tha se takimi me Osmanin ishte njoftues.

“Presidentja nuk ka dhënë mendim. Ajo vetëm se ka dëgjuar arsyetimin tim [për seancën konstituive]”, tha Basha për gazetarët.

Gjatë seancës konstituive të 30 gushtit, Basha hodhi në votim, përmes shortit, kandidatët e mbetur për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Pasi asnjëri prej tyre, gjatë tri herëve që u hodhën në votim, nuk mori 61 votat e nevojshme, Basha tha se Kuvendi duhet të vazhdojë punën dhe e shpalli të “përmbyllur” procesin e konstituimit.

Ky vlerësim i Bashës hasi në kundërshti nga partitë e tjera parlamentare.

“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë në lidhje me nënkryetarin që vjen nga pakica serbe, prandaj, në këtë rast, konsiderojë se e kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës, konsideroj se kjo seancë konstituive është e mbyllur”, deklaroi Basha.

SHARE