Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka uruar 1 Shtatorin – Ditën e Komunës së Tuzit, duke ia drejtuar urimin Kryetarit të Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj, si dhe Kryetarit të Komunës, Lindon Gjelaj.
Ai theksoi se administrata efikase dhe qasja e përgjegjshme ndaj nevojave të qytetarëve janë vlera për të cilat Tuzi dallon dhe tashmë është bërë shembull për shumë vetëqeverisje lokale në Mal të Zi, por edhe më gjerë.
“Gjatë këtyre gjashtë viteve të ekzistencës, është rritur ndjeshëm buxheti, gjë që flet qartë për vazhdimësinë dhe mbështetjen për zhvillimin e vetëqeverisjes lokale në të gjitha pjesët e Malësisë, pa dallim”, tha ministri Dukaj.
Ai shtoi se harmonia multietnike, ruajtja e diversitetit, historisë, kulturës dhe traditës, në bashkëdyzim me trendet moderne që zhvillohen me kujdes dhe përgjegjësi, dëshmojnë vizionin e qartë të kësaj komune.
Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e diasporës: “Bashkëpunimi dhe mbështetja e diasporës kanë qenë gjithmonë një potencial i madh për zhvillimin shtesë të komunës, dhe ky potencial duhet të zhvillohet më tej përmes ideve dhe projekteve konkrete.”
Duke folur për projektet infrastrukturore të realizuara, Dukaj u shpreh se ato kanë kontribuar që një numër gjithnjë e më i madh i qytetarëve të Tuzit ta shohin këtë komunë si një vend të bukur dhe të rehatshëm për të jetuar.
“Vetëqeverisja lokale në Tuz ka kultivuar gjithmonë marrëdhënie partnere brenda Malit të Zi, por edhe në një kontekst më të gjerë, çka përbën një potencial shtesë në zbatimin e trendeve moderne të zhvillimit”, tha ai.
Dukaj përmendi edhe rolin e Ministrisë së Administratës Publike: “Ministria jonë po zhvillon instrumente për forcimin e vetëqeverisjes lokale, me theks të veçantë në digjitalizim, decentralizim dhe demokratizimin e proceseve shoqërore. Projekti ‘Komunat për BE’ është me rëndësi të veçantë për përmirësimin e marrëdhënieve partnere midis pushtetit qendror dhe atij lokal, si dhe me institucionet e tjera përkatëse, me mbështetjen e fuqishme të Komisionit Evropian në Mal të Zi.”
Në fund të mesazhit të tij, ministri Dukaj shprehu urimet më të mira për qytetarët: “Me dëshirat më të mira për ju dhe për të gjithë qytetarët e Komunës së Tuzit, edhe një herë ju uroj Ditën e Komunës dhe me kënaqësi theksoj se Ministria do të vazhdojë të ofrojë mbështetje në të gjitha fushat që janë në kompetencën e saj.”