MILLATOVIQ URON DITËN E KOMUNËS SË TUZIT: TUZI ËSHTË SHEMBULL I ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM DHE BASHKËPUNIMIT

Foto: RTNK

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka përcjellë urimet më të sinqerta me rastin e Ditës së Komunës së Tuzit, drejtuar drejtuesve së Komunës, këshilltarëve dhe të gjithë banorëve të kësaj komune.

“Komuna juaj sot zë një vend të rëndësishëm në vend kur bëhet fjalë për bujqësinë, tregtinë dhe sipërmarrjen e vogël. Burimet e saj natyrore nga fushat e buta të Trieshit e deri te bukuritë e Liqenit të Shkodrës dhe zona malore përreth, dëshmojnë për potenciale të mëdha turistike dhe ekologjike, të cilat mund dhe duhet të bëhen motor i zhvillimit të qëndrueshëm,” thuhet në mesazhin e Presidentit Millatoviq.

Ai shtoi se është i vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballet komuna nga nevojat infrastrukturore dhe çështjet ekologjike, deri te nevoja për më shumë investime në arsim, shëndetësi dhe mbështetje për të rinjtë.

“Megjithatë, besoj se përmes një menaxhimi të përgjegjshëm dhe me mbështetjen e qytetarëve, Tuzi do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e veta institucionale dhe të ndërtojë një të ardhme të denjë për historinë që trashëgon.” Presidenti Millatoviq theksoi gjithashtu se institucioni që ai përfaqëson mbetet i përkushtuar për të mbështetur çdo nismë cilësore që vjen nga Komuna e Tuzit – qoftë për zhvillimin lokal, përmirësimin e shërbimeve publike, ruajtjen e trashëgimisë kulturore apo nxitjen e ekonomisë dhe turizmit.

“Besoj se përmes një bashkëpunimi të ndërsjellë, dialogu të hapur dhe respektimit të nevojave lokale, mund të kontribuojmë në krijimin e kushteve edhe më të mira për jetën e të gjithë qytetarëve të Tuzit.”

Në fund të urimit të tij, Presidenti Millatoviq shkruan:

“Gëzuar Ditën e Komunës së Tuzit – me dëshirën për përparim të qëndrueshëm, respekt të ndërsjellë dhe suksese, në të mirë të të gjithë qytetarëve!”

SHARE