MESAZHE URIMI PËR DITËN E KOMUNËS SË TUZIT NGA KRYETARI DHE NËNKRYETARI I KUVENDIT TË MALIT TË ZI

Foto: DAN

Me rastin e 1 shtatorit, Ditës së Komunës së Tuzit, kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, dhe nënkryetari Nikollë Camaj kanë dërguar urimet më të sinqerta drejtuesve dhe qytetarëve të komunës.

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, i ka dërguar urimet më të sinqerta drejtuesve të komunës dhe qytetarëve të Tuzit me rastin e Ditës së Komunës.

Në mesazhin e tij, Mandiq theksoi rëndësinë e Tuzit si një nga komunat më të reja dhe një shtyllë e rëndësishme e Malit të Zi moderne, si dhe vlerësoi trashëgiminë kulturore dhe harmoninë multietnike të Malësisë.

Ai siguroi se Kuvendi i Malit të Zi do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e komunave, duke theksuar se vetëm me bashkëpunim dhe përkushtim mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë për të gjithë qytetarët.

“Ju uroj Ditën e Komunës së Tuzit, me dëshirë për përparim dhe mirëqenie,” tha Mandiq.

Me rastin e 1 shtatorit, Ditës së Komunës së Tuzit, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, uroi kryetarin e Komunës, Lindon Gjelaj, kryetarin e Kuvendit, Fadil Kajoshaj, si dhe të gjithë qytetarët e Tuzit.

Në mesazhin e tij, Camaj theksoi se Tuzi është një komunë me traditë të pasur, trashëgimi kulturore dhe bukuri natyrore, e njohur për bashkëjetesën dhe harmoninë multietnike, të cilat janë arsye krenarie për të gjithë.

Ai kujtoi rrugën e vështirë deri në fitimin e statusit të komunës së pavarur, duke theksuar se këmbëngulja dhe vizioni i përbashkët triumfuan mbi shumë pengesa.

“Ky sukses i përket sot të gjithë qytetarëve dhe përfaqëson një obligim të përhershëm për të justifikuar besimin e dhënë,” tha Camaj.

Duke vënë në dukje rëndësinë e bashkimit dhe punës së përbashkët, nënkryetari i Kuvendit u shpreh se kjo festë është një moment për të kujtuar atë që bashkon komunitetin dhe për të shprehur vendosmërinë për një të ardhme më të begatë.

“Duke besuar në potencialin dhe forcën e komunës, uroj nga zemra Ditën e Komunës së Tuzit, me shpresën që ta kremtoni në frymën e bashkimit, krenarisë dhe optimizmit,” thuhet në urimin e nënkryetarit Camaj.

SHARE