Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për zgjedhjen e nënkryetarit të këtij institucioni nga komuniteti serb.
Asnjëri nga deputetët që u propozuan për votim nuk mori shumicën e mjaftueshme dhe rrjedhimisht Kuvendi ka mbetur vetëm me katër nënkryetarë, nga pesë sa duhet t’i ketë, për t’u konsideruar i konstituuar.
Të propozuarit për nënkryetar nga Lista Serbe sipas shortit, nuk morën vota nga deputetët, ndërsa deputeti serb që nuk është pjesë e Listës Serbe, Nenad Rashiq, mori 56 vota, asnjë kundër dhe 21 abstenime, duke u eliminuar nga gara meqë ishte dështimi i tretë për të.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha se asnjëri nga të propozuarit nuk arriti të zgjidhej nënkryetar, ku tetë prej tyre nuk morën votat e mjaftueshme ndërsa dy nga ta nuk pranuan të kandidojnë.
“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti serb, prandaj, konsideroj se kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës, të seancës konstituive dhe, meqë nuk ka mundësi tjetër objektive si të procedohet tutje, konsideroj që seanca konstituive konsiderohet e përmbyllur”, theksoi Basha.