Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Në Ditën e Komunës së Tuzit, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Malit të Zi njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka uruar qytetarët e Malësisë dhe diasporën shqiptare, duke kujtuar arritjet e përbashkëta dhe rrugëtimin e suksesshëm që nga themelimi i komunës.
Në mesazhin e tij, Gjeloshaj theksoi se që nga viti 2019, kur buxheti i Komunës së Tuzit ishte vetëm 1.6 milion euro, sot, në vitin 2025, kjo shumë ka arritur në 9.5 milion euro – një rritje që ai e cilëson si dëshmi konkrete e zhvillimit dhe përkushtimit ndaj Malësisë.
“Këto nuk janë vetëm shifra. Janë dëshmi e ëndrrave që i kemi kthyer në vepra, e besimit që kemi pasur te Malësia”, u shpreh Gjeloshaj, duke nënvizuar dhjetëra miliona euro investime të realizuara gjatë këtyre viteve.
Sot, si nënkryetar i Qeverisë dhe si drejtues i Forumit Shqiptar, Gjeloshaj tha se do të vazhdojë të punojë që Tuzi të zërë vendin që meriton, si simbol i bashkëpunimit, zhvillimit dhe krenarisë.
Një falënderim të veçantë ai ia drejtoi diasporës, të cilën e cilësoi si burim të pashtershëm të mbështetjes dhe forcës për vendlindjen.
Në fund të mesazhit, Gjeloshaj theksoi: “Malësia ka qenë gjithmonë më shumë se një komunë. Tuzi është premtimi se së bashku mund të arrijmë gjithçka. Gëzuar Ditën e Komunës!”