Komuna e Tuzit është shembull i menaxhimit të mirë dhe administrimit efikas për të gjithë rajonin, tha ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.
Dukaj, siç njofton Ministria e Administratës Publike, ka uruar kryetarin e asaj komune, Nik Gjeloshaj dhe kryetarin e Kuvendit të Komunës, Fadil Kajoshaj, për Ditën e Komunës së Tuzit.
“Kam kënaqësinë e madhe që të gjithë qytetarëve të Komunës së Tuzit, në emër të Ministrisë së Administratës Publike, si dhe në emrin tim personal, t’u dërgoj urimet më të ngrohta me rastin e 1 shtatorit, Ditës së Komunës,” tha Dukaj.
Ai shtoi se kjo komunë “për një kohë shumë të shkurtër” arriti nivelin më të lartë të zhvillimit.
“Duke hapur fabrika, duke ndërtuar infrastrukturen rrugore dhe ujore, duke hapur shumë vende të reja të punës dhe duke ngritur standardin jetësor të të gjithë qytetarëve”, tha Dukaj.
Sipas tij, fakti që komuna e Tuzit e ka rritur buxhetin e saj në nivelin 512 për qind për katër vite flet për progresin e madh të arritur në këtë komunë.
“Lulëzimi i aktiviteteve kulturore dhe artistike, promovimi dhe forcimi i statusit të të rinjve, ndihma për sipërmarrjen femërore, angazhimi për arsimim adekuat, mbështetja për sportin dhe ndërtimi i një stadiumi të ri të qytetit, mbështetje e madhe për bujqësinë dhe blegtorinë janë vetëm disa nga aspektet e suksesit të komunës së Tuzit. Ndërtimi i një parku të ri në Tuz sipas standardeve evropiane dhe moderne do t’u ofrojë mundësi të rinjve, fëmijëve dhe të gjithë qytetarëve që kohën e lirë ta kalojnë duke ecur, luajtur, duke bërë stërvitje apo duke u shoqëruar në një ambient të këndshëm”, tha Dukaj.
Ministri i Administratës Publike tha gjithashtu se Tuzi është një nga komunat me numrin më të madh të projekteve infrastrukturore.
“Besoj se lidershipi ka vizionin por edhe potencialet intelektuale, sipërmarrëse dhe të tjera për ta bërë Komunën e Tuzit një vend të këndshëm për jetë komode të të gjithë qytetarëve”, ka shtuar ai.
Sipas Dukajt, Ministria e Administratës Publike vazhdon të mbështesë Komunën e Tuzit në drejtim të transformimit digjital dhe decentralizimit të pushteteve lokale, në përputhje me standardet më të fundit ndërkmbëtare.
Po ashtu, deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj, ka uruar qytetarët e Malësisë me rastin e 1 shtatorit – Ditës së komunës së Tuzit.
Në urimin e Camaj thuhet: „Malësia e di se themelet e asaj që feston sot, janë shtruar dekada më parë; pema, frutet e së cilës i shijojmë ne sot, është mbjellur që shekullin e kaluar… Derisa për komunën disa benin sakrifica, disa të tjerë shijonin benefitet e luftës kundër sajë! Prandaj, t’i respektojmë sakrificat e çdonjënit që ka vënë, qoft edhe një guralec, në kështjellën tonë, në mënyrë që të festojmë përjetësisht, së bashku! 4 vitet e kaluara kanë dëshmuar se sa e drejtë dhe e nevojahme, për qytetarët e Malësisë, ishte kërkesa jonë!