Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Financave, Novica Vukoviq, deklaroi se miratimi i Ligjit të ri për lojërat e fatit, pas njëzet vitesh, është një dëshmi e qartë se shteti ka vullnetin dhe fuqinë për të rregulluar këtë sektor.
Ai theksoi se politikat publike po ndërtohen në mënyrë transparente, në interes të qytetarëve, ekonomisë dhe vetë shtetit me theks të veçantë në shëndetin dhe mirëqenien e të gjithëve, veçanërisht të të rinjve.
“Ky ligj, para së gjithash, mbron shëndetin publik. Ne po kufizojmë qasjen në lojërat e fatit për grupet më të ndjeshme, duke luftuar varësinë dhe pasojat shoqërore që sjell ajo. Institucionet më në fund kanë instrumentet për të vepruar në mënyrë parandaluese dhe të përgjegjshme”, tha Vukoviq.
Ai shtoi se ligji i ri krijon një ambient të sigurt dhe të ndershëm, të lirë nga krimi financiar dhe të gatshëm për zhvillim të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm.
“Po vendosim rregull në fushën e reklamimit – nuk do të ketë më vend për reklama mashtruese që premtojnë fitime të shpejta apo dhurata të rreme. Kujdes të veçantë kemi kushtuar mbrojtjes së të rinjve, duke ndaluar rreptësisht bastet për të mitur”, theksoi ministri.
Sipas tij, është rritur distanca minimale e objekteve të basteve nga shkollat, ndërsa për herë të parë përcaktohet saktësisht se çfarë konsiderohet institucion arsimor.
“Parandalimi i varësisë nga lojërat e fatit dhe mbrojtja e të miturve janë prioritet. Kjo është një çështje serioze e shëndetit publik që prek më shumë shtresat e ndjeshme. Tani kemi kontroll më të madh mbi bastet online përmes identifikimit të detyrueshëm dhe mbikëqyrjes digjitale, parandalojmë abuzimet, ndarjen e llogarive dhe ndjekim qarkullimin e parave. Në këtë mënyrë, e bëjmë sektorin më pak të prekshëm ndaj pastrimit të parave dhe abuzimeve të tjera”, u shpreh Vukoviq.
Ai përfundoi duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një reformë në letër:
“Kjo është një lëvizje konkrete përpara – përforcojmë mbikëqyrjen digjitale, kontrollojmë lojërat e fatit online, mbrojmë të miturit dhe luftojmë pa kompromis ekonominë e zezë dhe financimin e terrorizmit. Ekipi i Ministrisë së Financave vazhdon të punojë me vendosmëri, përgjegjësi dhe në interesin tuaj”, tha Vukoviq.