QEVERIA E KOSOVËS SHPREH “SHQETËSIM TË THELLË” PËR KRIZËN HUMANITARE NË GAZA

 Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Kosovës, ka shprehur “shqetësimin e thellë” për krizën humanitare në Gaza, raporton Anadolu.

Kurti rreth krizës humanitare në Gaza foli në fjalën e tij hyrëse në mbledhjen e radhës të Qeverisë në detyrë të Kosovës.

“Sikurse kemi bërë edhe në të kaluarën, ne i dënojmë sulmet që rezultojnë me vdekje dhe lëndim të civilëve, veçanërisht të fëmijëve, të cilët po përballen me pasoja të rënda pavarësisht faktit që nuk kanë asnjë përgjegjësi mbi konfliktin dhe situatën”, theksoi Kurti.

Ai kujtoi që Qeveria e Kosovës ka ndarë në janar të vitit 2025 gjysmë milioni euro nga buxheti i saj për ndihma humanitare për popullin palestinez, derisa theksoi se mbështesin çdo përpjekje për armëpushim.

“Ne e mbështesim çdo përpjekje të partnerëve tanë, për të arritur një armëpushim të menjëhershëm që do të krijonte mundësinë për dërgimin e rregullt dhe të mjaftueshëm të ndihmave, lirimin e pengjeve dhe arritjen e një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve”, theksoi Kurti.

Që nga 7 tetori 2023, të paktën 154 persona, përfshirë 89 fëmijë, kanë vdekur për shkak të urisë në Rripin e Gazës. Të paktën 60.239 palestinezë janë vrarë dhe 146.894 janë plagosur në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga kjo datë.

SHARE