GJELOSHAJ: LIGJI PËR SHOQËRITË TREGTARE FORCON SIGURINË JURIDIKE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministi për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj deklaroi se miratimi i Ligjit për Shoqëritë Tregtare paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së kritereve për mbylljen e Kapitullit 6 në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.  

“Si një ligj bazë dhe sistemik në fushën e të drejtës tregtare, ky ligj rregullon në mënyrë të hollësishme të gjitha aspektet kryesore të funksionimit të shoqërive tregtare nga themelimi e deri te përfundimi i veprimtarisë së tyre. Ai ka një rol kyç në krijimin e një mjedisi të shëndoshë ekonomik, duke përcaktuar rregulla që mundësojnë funksionim efikas të ekonomisë së tregut dhe duke garantuar mbrojtjen e lirive ekonomike”, tha Gjeloshaj.

Sipas tij, ligji thekson rëndësinë e efikasitetit, përgjegjshmërisë dhe transparencës, duke mbrojtur të drejtat e të gjithë pjesëmarrësve në biznes.

“Me miratimin e këtij ligji, po forcojmë sigurinë juridike. Po harmonizohemi me standardet evropiane dhe po krijojmë kushte më të favorshme për investitorët vendorë dhe të huaj”, theksoi Gjeloshaj.

SHARE