MILLATOVIQ VAZHDOI KONSULTIMET PËR ZGJEDHJEN E MANDATARIT PËR PËRBËRJEN E QEVERISË SË 44-të TË MALIT TË ZI

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka vazhduar konsultimet me subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend lidhur me zgjedhjen e mandatarit për përbërjen e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi.

Në vazhdim të konsultimeve, presidenti Millatoviq ka biseduar me përfaqësuesit e Demokratëve, të udhëhequr nga kryetari i partisë Alleksa Beçiq, pastaj me kryetarin e Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq, si dhe përfaqësuesit e Partisë Popullore Demokratike, Millan Knezheviq dhe Predrag Bullatoviq.

Mali i Zi Demokratik i jep pëlqimin presidentit Jakov Millatoviq që mandatin për përbërjen e qeverisë së re t’ia besojë Millojko Spajiqit, duke pritur që ai në periudhën e ardhshme të gjejë një gjuhë të përbashkët me partnerët e tjerë të koalicionit, tha presidenti i Demokratëve, Alleksa Beçiq.

Po ashtu, kryetari i Partisë Boshnjake Ervin Ibrahimoviq tha pas konsultimeve me Presidentin Jakov Millatoviq se Partia Boshnjake do të mbështesë Millojko Spajiqin që të jetë mandatar për përbërjen e qeverisë së re.

Ndërsa, kryetari i Partisë Popullore Demokratike, Millan Knezheviq, tha se ai dhe Predrag Bullatoviq, kanë pasur konsultime shumë të detajuara dhe konstruktive me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

Ai tha se pozita e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi duhet t’i takojë koalicionit „Për të Ardhmen e Malit të Zi“ dhe shtoi se janë të gatshëm të bëjnë koncesion.

Ai thekson se i kanë thënë liderit të Lëvizjes „Evropa Tani“ dhe kandidatit potencial Millojko Spajiq se duan të jenë pjesë e qeverisë nga mazhoranca e 30 gushtit.

Në vazhdim të konsultimeve, presidenti Millatoviq nesër do të takohet me përfaqësuesit e Lëvizjes Qytetare URA, Socialdemokratët, Partinë Popullore Socialiste dhe Iniciativën Qytetare Kroate.

SHARE