ABAZOVIQ: PAS NJË DEKADE KEMI SUFICIT NË BUXHET

Në Mal të Zi, kushedi pas sa vite deficit, në gjysmën e parë të këtij viti është arritur suficit në buxhetin e shtetit, ka bërë të ditur kryeministri Dritan Abazoviq.

Në një prononcim në profilin e tij në Facebook, ai ka thënë se dëshiron të ndajë me qytetarët dy të dhëna statistikore jashtëzakonisht të rëndësishme sa i përket ekonomisë malazeze.

“E para është se paga mesatare prej 795 euro është regjistruar në qershor, më e larta që nga metrika që është kryer në Mal të Zi dhe më e larta në rajon”, tha Abazoviq.

Ai po ashtu ka deklaruar se Mali i Zi në dhjetë vitet e fundit nuk ka pasur suficit në buxhetin e shtetit dhe se në gjashtë muajt e parë të këtij viti është realizuar suficit prej 179 milionë euro.

“Këto janë rezultate të lëvizjeve vendimtare politike, luftës kundër korrupsionit dhe krimit, qëndrimit patriotik ndaj aseteve shtetërore”, përfundoi Abazoviq.

SHARE