NGA SOT NË BREGDET DO TË KETË PATRULLA TË PËRBASHKËTA TË POLICISË MALAZEZE DHE POLICËVE NGA JASHTË

Foto: Pixabay

Oficerë policie të uniformuar dhe oficerë të policisë kriminale nga shtatë vende do të patrullojnë së bashku me policët malazezë në komunat bregdetare të Malit të Zi, që nga sot.

Nga Drejtoria e Policisë është njoftuar se kjo do të bëhet në bazë të Protokollit të bashkëpunimit gjatë sezonit turistik, dhe në kuadër të projektit “Sezoni turistik i sigurt”.

Siç është thënë, këtë projekt Drejtoria e Policisë e zbaton prej 15 vitësh me partnerë dhe organizata policore nga Kroacia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Italia, Kosova dhe Rumania.

Nga policia thanë se nga sot deri më 1 shtator, oficerë të uniformuar policie dhe të policisë kriminale nga këto vende do të punojnë me kolegët e tyre malazezë, si një formë mbështetje për Qendrën Rajonale të Sigurisë Jug dhe degët e sigurisë në komunat bregdetare.

“Me këtë mënyrë, gjatë sezonit veror turistik, në përputhje me Protokollin dhe planin e paracaktuar, patrullat e përbashkëta me oficerët e Drejtorisë së Policisë, policët nga jashtë do të mbështesin përpjekjet e policisë malazeze për të siguruar një ambient të qëndrueshëm sigurie dhe sigurinë personale dhe pronën e turistëve dhe qytetarëve të Malit të Zi, si dhe për bashkëqytetarët e tyre për informim dhe ndihmë gjatë qëndrimit të tyre në bregdetin malazez”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, kontaktimi me këta oficerë policie do të jetë i mundur përmes numrave të njohur dhe të disponueshëm të Drejtorisë së Policisë dhe degëve të sigurisë në komunat bregdetare – 122.

SHARE