MILLATOVIQ SHPALLI THIRRJEN PUBLIKE PËR ZGJEDHJEN E NJË GJYQTARI TË GJYKATËS KUSHTETUESE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, shpalli thirrjen publike për zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.

“Sipas dispozitës së nenit 7, paragrafi 2 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Malit të Zi, Gjykata Kushtetuese njoftoi Presidentin e Malit të Zi se në seancën e saj më 26 qershor 2025, u konstatua përfundimi i mandatit të gjyqtares Desanka Lopiçiq. Duke pasur parasysh që plotësimi i vendit të gjyqtarit, në të cilin ishte zgjedhur gjyqtarja Lopiçiq, bëhet në bazë të propozimit të Presidentit të Malit të Zi, janë përmbushur kushtet kushtetuese dhe ligjore që Presidenti i Malit të Zi të shpallë thirrjen publike për zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese,” thuhet në njoftimin e Kabinetit të Presidentit të Malit të Zi.

Thirrja publike, siç shpjeguan në njoftim, do të publikohet në “Fletoren Zyrtare të Malit të Zi” dhe do të jetë e disponueshme në mediat e shtypura “DAN”, “Vijesti” dhe “Pobjeda”, si dhe në faqen zyrtare të internetit të Presidentit të Malit të Zi.

“Afati për aplikim të kandidatëve është 45 ditë nga dita e shpalljes së thirrjes publike. I ftojmë juristët e shquar, që përmbushin kushtet e përcaktuara nga Kushtetuta e Malit të Zi dhe Ligji për Gjykatën Kushtetuese, të aplikojnë në thirrje dhe të kontribuojnë në zgjedhjen e kandidatit më të mirë,” theksuan nga kabineti i Presidentit.

SHARE