MALI I ZI ME MBËSHTETJEN E HUNGARISË DREJT RRUGËVE MË TË MIRA, HEKURUDHAVE MODERNE DHE PËRMIRËSIMIT TË ADMINISTRATËS

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, dhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, nënshkruan në Budapest marrëveshje për bashkëpunim në projekte strategjike, që synojnë zhvillimin e infrastrukturës dhe forcimin e sektorëve kyç për ekonominë malazeze.

Marrëveshjet përfshijnë bashkëpunim në zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhave, si dhe në fushën e telekomunikacionit, teknologjisë informative dhe zbatimit të ligjit.

Këto projekte do të kontribuojnë në përmirësimin e jetesës, rritjen ekonomike dhe zhvillimin e potencialeve të Malit të Zi, përfshirë edhe lidhjen e qëndrueshme me rajonin dhe Evropën, si dhe shfrytëzimin e plotë të portit të Tivarit.

Spajiq theksoi se këto marrëveshje janë rezultat i një pune intensive dyvjeçare dhe krijojnë mundësinë për konkretizimin e projekteve vitin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, Orban vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë për integrimin evropian të Malit të Zi, me synim përmbylljen e negociatave deri në vitin 2026.

Përveç mbështetjes financiare dhe ekspertëve, u parashikua edhe ofrimi i bursave për studentët nga Mali i Zi që dëshirojnë të përmirësojnë njohuritë e tyre në Hungari.

„Krijimi i një komisioni ekonomik të përbashkët do të ndihmojë në monitorimin dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke përfshirë edhe sektorin privat,“ thuhet në njoftim.

SHARE