Në samitin BE-Ballkani Perëndimor të zhvilluar në Shkup, Kryeministri Edi Rama përcolli një mesazh optimizmi për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ai theksoi se vendi ynë asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq pranë realizimit të një aspirate të kahershme, duke nënvizuar përparimin e dukshëm që është arritur në këtë proces.
Rama u shpreh se zbatimi i Planit të Ri të Rritjes po ecën me ritme të mira dhe Shqipëria ka përmbushur deri më tani të gjitha pikat e kërkuara nga Komisioni Europian.
“Jemi shumë krenarë, sepse kemi përmbushur praktikisht të gjitha pikat e zbatimit dhe vazhdojmë me detyrimet e tjera sipas kalendarit,” tha ai.
Ai theksoi se kjo është një ndalesë e rëndësishme në rrugën e përbashkët drejt integrimit europian dhe shprehu besimin se Shqipëria do t’i përmbushë të gjitha detyrimet në kohë, duke respektuar afatet e parashikuara.
Një tjetër element i rëndësishëm në këtë proces, sipas kryeministrit, është edhe integrimi gradual, i cili po zbatohet me sukses dhe po ndihmon në afërtimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Në lidhje me situatën në Ballkanin Perëndimor, Rama e vlerësoi atë si shumë pozitive dhe u shpreh se ekziston një atmosferë e favorshme që mbështet avancimin e proceseve integruese.
Ky optimizëm vjen në një moment kur Shqipëria po përgatitet për faza të reja të dialogut me BE-në, me synimin e qartë për hapjen e negociatave për anëtarësim.