Komisarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos tha se Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor.
Duke folur në panelin kushtuar Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të liderëve BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Shkup, Kos rikujtoi se Samiti i cili planifikohej të mbahet në mars të këtij viti, ishte shtyrë për arsye të zjarrit që shpërtheu më 16 mars në një lokal nate në Koçani.
Ajo tha se Mekanizmi i mbrojtjes civile i BE-së menjëherë organizoi koordinimin e evakuuimit ajror, duke mundësuar trajtimin e disa të plagosurve në spitalet e ndryshme në Evropë.
“Evropianët që tregojnë solidaritet për njëri-tjetrin, evropianët që bashkëpunojnë për të adresuar sfidat e përbashkëta, ky është thelbi i gjithçkaje që bëjmë së bashku”, tha Kos.
Kos gjithashtu tërhoqi vëmendjen në rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për BE-në dhe Evropën. “Për herë të parë në historinë e Evropës, nëse e bëjmë siç duhet në procesin e zgjerimit, mund ta bashkojmë Evropën tonë. Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ajo.
Komisarja gjithashtu bëri vlerësime lidhur me procesin e negociatave të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Duke theksuar se Shqipëria ka hapur 3 grupkapituj në 6 muajt e fundit, ajo falënderoi kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama për kontributin e tyre për suksesin e procesit të zgjerimit. “Nëse vazhdojmë kështu, do të jemi në gjendje të hapim të gjithë grupkapitujt këtë vit”, tha ajo.
Për Malin e Zi, ajo tha se të premten e kaluar kanë mbyllur një kapitull të ri, në Bosnjë e Hercegovinë është miratuar axhenda e reformave, në Kosovë presin qeverinë e re, ndërkaq në Serbi ajo shprehu shpresën që së shpejti do të jenë në gjendje të ecin përpara.