Marrëveshja për sigurimet shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë hyn në fuqi dhe vjen në ndihmë të gjithë emigrantëve shqiptarë që kanë punuar përtej Adriatikut për përfitimin e pensioneve.
Fushat që mbulon marrëveshja përfshijnë pensionet e pleqërisë, invaliditetit, familjar, përfitimet për sëmundje dhe barrëlindje, si dhe përfitimet nga papunësia.
Duke filluar nga data 1 korrik, do të jetë e mundur që periudhat e sigurimit të realizuara në Shqipëri dhe Itali të bashkohen, për të mundësuar përfitimin e të drejtave nga sigurimet shoqërore, me kusht që periudhat të mos mbivendosen.
Nëse një qytetar banon në Shqipëri, përfiton pension shqiptar dhe kërkon të përfitojë edhe një pension në Itali, duhet të plotësojë formularin e kërkesës për pension, i cili, së bashku me dokumentacionin që dëshmon punësimin ose sigurimin shoqëror në Itali, duhet të dorëzohet në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
Në rast se një rezident në Shqipëri ka të drejtë vetëm për pension shqiptar, duhet të aplikojë në e-Albania, tek kategoria ‘Apliko për Pension’.
Nëse gjatë aplikimit rezulton se nuk plotësohet kushti minimal i sigurimit prej 15 vitesh në Shqipëri, atëherë duhet të zgjedhë kategorinë ‘Sigurim jashtë shtetit’ dhe të ngarkojë dokumentacionin e sigurimeve nga Italia.
Për të gjithë ata që, për shkak të viteve të punës, kërkojnë të aplikojnë për pension italian, duhet të kenë parasysh se mosha e daljes në pension në Itali është 67 vjeç për burrat dhe gratë, me një minimum prej 20 vitesh sigurim.