Shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, mbylli sytë përgjithmonë në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare.
Ai lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.
Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.
Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë me librat e tij u dha mundësinë shqiptarëve të mendonin dhe ëndrronin perëndimin, përtej kufirit dhe errësirës së diktaturës.
Ndërsa botën e njohu me Shqipërinë, shtetin me popull me traditat dhe kulturë europiane por që ishte izoluar nga diktatura komuniste dhe ishte lënë jashtë nga Europa.
Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Kadare është vlerësuar me çmime dhe dekorata të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Udhëheqësit shqiptar thanë se “shqiptarët humbën gjeniun e tyre të letrave”, ndërsa “bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë”.