MARTINOVIQ: MË SHUMË SE 90 MIJË TURISTË NË MAL TË ZI

Sipas të dhënave të fundit të Organizatës Kombëtare të Turizmit (OKT), në Mal të Zi po qëndrojnë 91,6 mijë turistë, që është 3,12 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, njoftoi ministri i Turizmit, Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Vlladimir Martinoviq.

Në një intervistë për agjencinë Mina-business, ai tha se të enjten, krahasuar me të dhënat e 20 qershorit, në Mal të Zi ka pasur 17.21 mijë turistë më shumë.

“Pritjet nga sezoni turistik i këtij viti janë pozitive dhe besojmë se në fund do të jemi të kënaqur me rezultatet. Rezultate pozitive shënohen edhe kur bëhet fjalë për numrin e turistëve që qëndrojnë në hotele. Përkatësisht, më 27 qershor, në hotele kanë qëndruar 35,77 mijë turistë, që është 7,74 për qind më shumë në krahasim me periudhën korresponduese të vitit të kaluar”, tha Martinoviq.

Ai tha se të dhëna të tilla u japin të drejtën të jenë optimistë dhe të presin një sezon veror të suksesshëm.

“Siç e kam theksuar disa herë, përgatitja e sezonit nuk është vetëm përgjegjësi e Ministrisë së Turizmit, por edhe e subjekteve të tjera që me aktivitetet e tyre kontribuojnë në krijimin e parakushteve, një mjedisi të mirë biznesi për turizmin,” ka thënë Martinoviq.

SHARE