VON DER LEYEN: UKRAINA TASHMË KA NJË PERSPEKTIVË TË QARTË EVROPIANE

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Ukraina tashmë ka një “perspektivë shumë të qartë evropiane” pas vendimit të Bashkimit Evropian për t’i dhënë statusin e vendit kandidat. “Ukraina tani ka një perspektivë shumë të qartë evropiane. Dhe Ukraina është një vend kandidat për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian diçka që dukej pothuajse e paimagjinueshme vetëm pesë muaj më parë. Pra, sot është para së gjithash, një arsye për të festuar këtë moment historik, një fitore e vendosmërisë dhe një fitore për të gjithë lëvizjen që filloi tetë vjet më parë në Maidan” Komentet, shefja e komisionit evropian i bëri gjatë nja fjalimi në parlamentin ukrainas, të cilit ajo iu drejtua përmes lidhjes video. Megjithatë, ajo i kërkoi zyrtarëve ukrainas, të bëjnë përpara me reformat anti korrupsion dhe shkëputje nga kthetrat e oligarkëve. Fjalimi i Von der Leyen u prit me duartrokitje në parlamentin e Ukrainës dhe shihet si një sukses i qeverisë së Presidentit Volodymyr Zelensky mbi përpjekjet e tyre për t’u bërë kandidatë për anëtarësim në BE. Ajo nënvizoi se Brukseli dhe shtetet anëtare të BE-së mbështesin Ukrainën në luftën e saj ndaj pushtimit rus dhe në përpjekjet për “tu ribashkuar me familjen evropiane.” Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE, vetëm pesë ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në 24 shkurt, ndërsa 27 vendet anëtare pranuan t’i jepej statusi i kandidatit më 23 qershor, në një sinjal të fortë mbështetjeje ndaj vendit. Por procesi i anëtarësimit mund të zgjasë shumë vite dhe kandidaturat e Turqisë dhe disa vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë ngecur ndërsa vendet perëndimore këmbëngulin për kritere të ashpra ekonomike dhe ligjore.

SHARE