Tavë Verore me Spinaq

Kur temperaturat rriten, amvisat hasen dhe me një problem tjetër.

Përveç pyetjes së përditshme: çfarë të përgatis për drekë, shtohet dhe gjetja e recetave të shkurtra e të shpejta.

Orët e gjata të kaluara mbi sobë për përgatitjen e recetave të ndryshme janë të padurueshme gjatë verës.

AgroWeb.org ju jep një zgjedhje të shpejtë dhe pa shumë mundim.

Kjo recetë është perfekte jo vetëm për nga shija por edhe për vlerat ushqyese që ofron.

Do t’ju marri vetëm 5 minuta kohë për ta përgatitur e më pas mund ta lini në furrë të piqet.

Përbërësit

  • 300 gr djathë i bardhë i thërrmuar
  • 500-600 gr spinaq
  • 6 vezë
  • 6 lugë gjelle me miell
  • Kripë
  • Piper
  • Kopër e freskët e grirë

Përgatitja

Pasi ta keni shpëlarë mirë spinaqin me ujë të bollshëm, priteni në copa të mëdha.

Hidheni në një tas të madh dhe aty shtoni me radhë përbërësit e tjerë.

AgroWeb.org ju këshillon që vezët t’i rrihni lehtë fillimisht në një pjatë, kështu ato do të bashkohen më mirë me masën që po përgatisni.

Pra thërrmoni djathin, shtoni vezët, miellin dhe erëzat.

Përzjejini mirë me një lugë druri në mënyrë që masa të jetë e njëtrajtshme dhe e plotë.

Ndërkohë merrni një tavë dhe spërkateni mirë me vaj ulliri dhe me pak bukë të thekur të thërrmuar, në mënyrë që tava të mos ngjitet.

Bukën e thekur të thërrmuar mund ta zëvendësoni dhe me pak miell, kështu do të përthithet lagështira e tepërt.

Kaloni masën e përgatitur dhe hapeni mirë në mënyrë që pjekja të jetë e barabartë në të gjithë tavën.

Futeni në furrë të parangrohur me 220 gradë për 30-40 minuta, ose derisa masa të jetë mpiksur dhe sipërfaqja e tavës të ketë marrë një faqe.

Më pas mjafton që ta shërbeni për të dashurit tuaj duke e shoqëruar me kos të freskët, tarator apo sallata me perime.

Diçka tjetër që mund t’ju vijë në ndihmë është që kjo tavë mund të qëndrojë në frigorifer dhe të konsumohet ditën tjetër.

Pra nëse doni të përgatisni diçka të shpejtë dhe plot vlera ushqyese zgjidhja është pikërisht kjo recetë.

SHARE