Foto: fax.al
Izraeli shpalli gjendjen e emergjencës pas zjarreve masive që nisën një ditë më parë të nxitura nga një mot i ngrohtë e i thatë dhe erërat e forta. Muri i flakëve po i afrohet Jerusalemit, ky tymi e ka ngjyrosur në gri qiellin e qytetit.
Autoritetet flasin për të paktën 20 të lënduar, ndërsa ushtria ka dërguar trupa të saj në zonë për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit. Edhe pse banorë si 40 vjecari Yuval Aharoni që foli për The Guardian, pohojnë se fatkeqësisht, me këtë lloj moti e dinin që diçka e tillë mund të ndodhte, ama sipas tyre nuk ishin gati sidomos me avionët cisternë për të lëshuar nga ajri sasi të mëdha uji, kryeministri Benjamin Netanyahu, fajin nuk e gjen tek natyra, por tek palestinezët dhe thirrjet në mediat sociale për zjarrvënie.
“Prioriteti ynë absolut tani është mbrojtja e Jeruzalemit. Kjo është me rëndësi të madhe, dhe ne ende nuk e dimë me saktësi sa është përhapur zjarri në pikat e tjera të nxehta në të gjithë vendin. Ajo që po dëgjoj sakaq është se ka shumë nxitje në mediat sociale, veçanërisht nxitje nga ana e palestinezëve. Kjo duhet të trajtohet urgjentisht. Shin Bet-i duhet udhëzuar që të veprojë për këtë”, shprehet kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
The Times of Israel shkruan se policia ka ndaluar një 50 vjeçar nga Jerusalemi Lindor të cilit iu gjet me vete një çakmak, pambuk e materiale që marrin flakë dhe po verifikon nëse ka pasur zjarrvënie të qëllimshme. Arrestimi përkoi me thirrjet e lëshuara nga palestinezë në mediat sociale për të ndezur zjarrë në Izrael gjatë Ditës së Pavarësisë së vendit, vigjilja e së cilës në fakt përkoi këtë vit me një valë të nxehti të kombinuar me erëra të forta që shkaktuan daljen e flakëve jashtë kontrollit dhe rezultuan në evakuimin e shumë komuniteteve dhe anulimin e një sërë eventeve festive.