UKRAINA DHE SHBA-ja NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJE PËR MINERALET, KRIJOJNË FOND INVESTIMESH PËR RINDËRTIM

Foto: Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje që i jep SHBA-së qasje në mineralet e rralla me vlerë të lartë të Ukrainës – një marrëveshje që Kievi shpreson se do të sigurojë vazhdimësinë e mbështetjes amerikane në luftën kundër Rusisë.

Marrëveshja krijon Fondin e Investime për Rindërtim SHBA-Ukrainë, për të cilin Departamenti i Thesarit të SHBA-së tha se do t’u mundësojë të dyja vendeve të “punojnë bashkërisht dhe të investojnë së bashku për të siguruar që asetet, talentet dhe kapacitetet tona të përbashkëta të përshpejtojnë rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës”.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi në një komunikatë për media se marrëveshja “është një sinjal i qartë për Rusinë se administrata Trump është e përkushtuar ndaj një procesi paqeje të bazuar në një Ukrainë të lirë, sovrane dhe të begatë në afat të gjatë”.

Bessent e quajti themelimin e Fondit për Investime një partneritet ekonomik historik, dhe ia atribuoi presidentit amerikan, Donald Trump, nxitjen për nënshkrimin e marrëveshjes si pjesë e përpjekjeve të tij për t’i dhënë fund luftës.

“Siç ka thënë presidenti, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të ndihmojnë në ndërmjetësimin për përfundimin e kësaj lufte mizore dhe të pakupimtë”, shtoi Bessent.

Trump është shprehur i pakënaqur me ritmin e ngadaltë të bisedimeve. Më 29 prill, Departamenti i Shtetit i SHBA-së bëri një tjetër përpjekje për të nxitur përparim, duke paralajmëruar se SHBA-ja mund të tërhiqet nga negociatat në mungesë të progresit.

Ministrja e Ekonomisë dhe zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, e nënshkroi marrëveshjen së bashku me Bessentin, sipas Departamentit të Thesarit. Në një postim në Facebook, ajo tha se marrëveshja “mund të sjellë sukses për të dyja vendet tona” dhe “do të tërheqë investime globale në shtetin tonë”.

Svyrydenko theksoi se fondi do të financohet ekskluzivisht nga të ardhurat e licencave të reja – përkatësisht 50 për qind nga licencat për materiale kritike dhe projekte të naftës dhe gazit – që do të hyjnë në buxhetin e Ukrainës sapo të themelohet fondi.

SHARE