Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Duke zbatuar programet Evropa Tani 1 dhe Evropa Tani 2, kemi rritur pagesat për punën (pagat) dhe për punën e mëparshme (pensionet), kemi përmirësuar pozitën dhe të drejtat e të punësuarve, ndërsa papunësia ka arritur minimumin historik, shkroi me rastin e 1 Majit – Ditës së Punës – në rrjetin X kryeministri Millojko Spajiq.
Ai thekson se kanë përmbushur premtimet e dhëna, duke arritur që paga minimale dhe mesatare të jenë 600/800 euro, përkatësisht 1.003 euro.
Ai shton se ngarkesa tatimore mbi punën është më e ulëta në Evropë, ndërsa njëkohësisht është zbutur barra e reformave në kurriz të punëdhënësve.
“Premtimet e dhëna i kemi përmbushur, në mënyrë që paga minimale dhe mesatare kanë arritur në 600/800€, përkatësisht 1.003 euro, ndërsa ngarkesa tatimore mbi punën është më e ulëta në Evropë, dhe njëkohësisht është zbutur barra e reformave në kurriz të punëdhënësve. Politikat tona janë të drejtuara edhe në korrigjimin e padrejtësive të së kaluarës. Prandaj, pensioni minimal është rritur në 450€, duke përfshirë edhe pensionistët proporcionalë të cilët gjithmonë kanë qenë të lënë pas dore. Me ndërhyrje shumëmilionëshe kemi shlyer kërkesat e ish-punëtorëve të ndërmarrjeve të falimentuara si KAP, Radoje Dakiq, Koshutës dhe shumë të tjerëve”, tha Spajiq në rrjetin X.
Ai shton se me punë të përkushtuar janë ruajtur vendet e punës në Institutin “Dr Simo Millosheviq” dhe sipas të njëjtit parim do të ruhen edhe të tjera, që janë strategjikisht të rëndësishme për zhvillimin dhe ekonominë e shtetit tonë.
“Me vendimet tona po i kthejmë dinjitetin çdo individi dhe deri në fund po i përmbushim dhe do t’i përmbushim të gjitha premtimet e dhëna qytetarëve që besojnë në një Mal të Zi evropian dhe të zhvilluar. Gëzuar 1 Maji”, theksoi Spajiq.