Foto: AA
Organizata Botërore e Shëndetësisë planifikon të mbështesë zyrtarisht përdorimin e ilaçeve për humbje peshe për të trajtuar obezitetin tek të rriturit për herë të parë, tregon një memo e shqyrtuar nga Reuters të enjten, duke shënuar kështu një ndryshim në qasjen e Organizatës ndaj trajtimit të problemit global shëndetësor.
Agjencia e OKB-së bëri thirrje gjithashtu për strategji për të përmirësuar aksesin në trajtim në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Më shumë se një miliard njerëz kanë obezitet në të gjithë botën, sipas OBSH-së, dhe rreth 70% e tyre jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Ilaçet shumë të njohura për obezitetin njihen si agonistë të receptorit GLP-1, që imitojnë aktivitetin e një hormoni që ngadalëson tretjen dhe i ndihmon njerëzit të ndihen të ngopur për kohë më të gjatë.
Në provat klinike, njerëzit humbën 15% deri në 20% të peshës së tyre trupore, varësisht nga ilaçi. Barnat janë lançuar në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera me të ardhura të larta si Gjermania dhe Britania.
Por ato mund të kushtojnë mbi 1,000 dollarë në muaj, dhe studimet sugjerojnë se njerëzit mund të duhet t’i marrin këto barna për pjesën tjetër të jetës së tyre për të ruajtur peshën e humbur.
Disa kompani po planifikojnë të lançojnë versione më të lira të barnave por për momentin ato mbeten të kushtueshme.