Foto: predsjednik.me
Me ftesë të presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, Mbreti i Jordanisë, Abdullah II, do të qëndrojë të premten për një vizitë pune në Mal të Zi.
“Vizita e parë e mbretit të Jordanisë në Mal të Zi do të ndodhë më pak se një muaj pas takimit ndërmjet presidentit Millatoviq dhe mbretit Abdullah II, i cili u zhvillua në Sofje në fillim të prillit, çka dëshmon vullnetin e ndërsjellë për forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut politik”, thuhet në njoftimin nga kabineti i presidentit të Malit të Zi.
Gjatë vizitës, Millatoviq dhe Mbreti Abdullah II do të zhvillojnë një takim kokë më kokë, pas së cilës do të mbahet një drekë pune me delegacionet përkatëse.
“Bisedimet do të fokusohen në afirmimin e mëtejshëm të dialogut politik, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, turizmit dhe sigurisë. Kjo vizitë përfaqëson një pikë kthese të rëndësishme dhe një shtysë të fuqishme për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Malit të Zi dhe Jordanisë, duke hapur gjithashtu hapësirë për bashkëpunim konkret dhe të përmbajtshëm mes dy vendeve mike”, thuhet në deklaratë.