TIRANA SHËNON 1 MAJIN ME THIRRJE QË TË RINJTË TË MOS EMIGROJNË

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, në Tiranë u zhvilluan disa protesta. Në njërën prej tyre, një grup i njerëzve u grumbulluan në rrugën që lidh Tiranën me aeroportin e Rinasit.

Në këtë protestë u bë thirrje që të rinjtë të luftojnë për të drejtat e tyre në punë dhe të mos largohen nga Shqipëria.

Drejtues të Konfederatës së Sindikatave thanë se vendi ka nevojë për punëtorë, pasi që shumë biznese vuajnë nga ky problem, por shtoi se të rinjve nuk u ofrohen paga dhe kushte dinjitoze.

“Mos u largoni, atdheu ka nevojë për ju”, ishte një prej pankartave që mbanin protestuesit në këtë protestë.

“Të rinjtë nuk do të detyroheshin të emigronin nëse politikbërësit hartojnë politika për t’i mbajtur ata këtu, duke i motivuar dhe vlerësuar”, tha një prej protestuesve.

Në një tjetër protestë të mbajtur për të shënuar 1 Majin, punëtorët e arsimit u mblodhën para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar paga më të larta dhe kushte më të mira pune.

Me pankartat ku shkruhej “Nuk ka arsim cilësor pa mësues të mirëpaguar”, “zbatoni kontratën kolektive” e “shpërblim në fund të vitit për mësuesin”, punëtorët e arsimit shprehën pakënaqësitë e tyre.

Ata kërkuan dyfishim të pagave duke theksuar që vetëm kështu maturantët mund të zgjedhin të studiojnë për t’u bërë mësimdhënës, që gjë gjithnjë e më pak të rinj po zgjedhin ta bëjnë. Paga mesatare për një mësues në Shqipëri është 60 mijë lekë, apo rreth 600 euro, në muaj.

“Ne kërkojmë që kryeministri ta mbajë premtimin që buxheti për arsimin do jetë 5 për qind e prodhimit të brendshëm bruto. Kjo duhet zbatuar sa më shpejt të jetë e mundur, s’mund të ketë infrastrukturë, s’mund të ketë laboratorë dhe as rritje pagash pa rritur buxhetin. Pa arsim cilësor nuk mund të ketë të ardhme ky vend”, tha Isa Halilaj, përfaqësues i Sindikatës së Arsimit.

Më pas, mësuesit iu bashkuan protestës që u mbajt para Kryeministrisë nga punëtorë të sektorëve të ndryshëm si minatorë, naftëtarë, e punonjës të qendrave të thirrjeve.

Protesta u organizua nga Unioni i Sindikatave të Shqipërisë dhe Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë. Me thirrjet “Dinjitet për punëtorët” protestuesit kërkuan që qeveria të reflektojë duke paralajmëruar protesta më masive ditët në vijim.

Gratë pjesëmarrëse në protestë ngritën zërin për hendekun e pagave mes burrave dhe grave dhe vështirësitë e tyre për të përballuar jetesën përballë çmimeve të larta.

SHARE