Duke analizuar rrezikun e pastrimit të parave në Mal të Zi, Drejtoria e Policisë paralajmëroi veçanërisht për sektorin e lojërave të fatit pasi, siç vlerësuan ata, është i përshtatshëm për transaksione të mëdha të parave të gatshme, që nuk kontrollohen lehtë. Ata e deklaruan këtë në Vlerësimin e Rrezikut të Krimit të Rënda dhe të Organizuar (SOCTA 2021). Sipas dokumentit të policisë, lojërat e fatit janë veçanërisht të rrezikshme.
Siç pretendohet, “është e rëndësishme të përmenden lojërat e fatit në internet, për shembull kur një qytetar i Malit të Zi hap një llogari në një kazino të huaj në internet, përmes një adrese emaili dhe transferon një shumë të madhe parash me origjinë të panjohur në llogarinë e tij, nga një kartë krediti ose platformë pagese, pay pall, pay send, skrill dhe të ngjashme”.
“Pas transaksionit të përfunduar, ai investon një shumë të vogël parash për të luajtur, pas së cilës i tërheq fondet si “fitime” të bëra nga lojërat e fatit”, thuhet në dokument.
Siç vërehet në këtë dokument të policisë, sektori i pasurive të paluajtshme është shënuar edhe si i rrezikshëm, për shkak të zhvillimit intensiv të tij dhe gjenerimit të shumave të mëdha parash.
“Në Mal të Zi, kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme, duke pasur parasysh se ekonomia mbështetet shumë në investimet e huaja direkte, dhe një pjesë e rëndësishme e këtyre investimeve ishin investimet në blerjen e pasurive të paluajtshme, përmes transaksioneve nga zonat offshore, nga Federata Ruse dhe Turqia”, thuhet në dokument.