TIRANË, 1 prill/ATSH/ Për herë të parë Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) sjell veprat e maestro Gjelosh Gjokajt, pjesë e koleksionit më të madh të piktorit të jashtëzakonshëm shqiptar prej Malit të Zi, që përmban vepra mes viteve 1961-2013.
Kryeministri Edi Rama i pranishëm në ceremoni tha se Gjelosh Gjoka nuk pikturonte për të jetuar, por jetonte për të pikturuar.
“Është koleksioni i një historie të bukur, i një artisti që mbetet ende për tu zbuluar në detajet e veta, edhe pse është bërë një punë shumë e lavdërueshme edhe për monografinë e tij, por Gjelosh Gjoka është shumë më tepër se kaq. Gjelosh Gjoka ishte një nga ato personazhe, ku nuk merret vesh ku mbaron jeta e përditshme e njeriut dhe ku fillon arti, piktura, sepse të dyja bashkë jetonin të ndërthurura me njëra-tjetrën. I dhënë pas artit, nuk kishte agjent të kujdesej për punën e tij e për ekspozitat e tij. Nuk pikturonte për të jetuar, por jetonte për të pikturuar. Jeta e tij ishte fare e thjeshtë, por edhe plot për të qenë në lartësinë e bujarisë dhe dëshirës së tij për të kaluar me miq e me biseda, të cilat i pëlqenin shumë“, u shpreh Rama.
Rama ndau me të pranishmit edhe faktin se me Gjelosh Gjokën kishte kaluar kohë.
“Për mua është një ekspozitë shumë e veçantë edhe për arsye personale sepse me Gjeloshin kemi pasur një marrëdhënie miqësore edhe profesionale dhe kujtoj që edhe vizitën e tij të parë në Shqipëri e kemi bërë së bashku, ashtu sikundër mikpritjes së tij dhe natyrës së tij si një bohem që pëlqente shumë të ndante edhe hapësirën ku jetonte me miq me të ftuar, vizitore. Kemi punuar së bashku në atelie, kemi ndarë historitë tona, ai historinë e tij të lavdishme, unë historinë e periudhës kur ishim të mbyllur”, u shpreh Kryeministri.
Rama tha kishte pikturat e Gjeloshit në muret e shtëpisë së tij, por që ishin pak krahasuar me koleksionin e Gjeloshit.