Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë të premten se Bashkimi Evropian (BE) “nuk ka kompetencë” për t’i propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, megjithëse autoritetet kosovare e kanë pranuar një të tillë në parim tashmë, nën ndërmjetësimin e bllokut.
“Mendoj se Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë t’i propozojë Asociacion Kosovës. Është gabim të mendosh se është kompetencë e BE-së të na caktojë neve [draft-status për Asociacionin], kurse kompetencë e jona të jetë ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetuese. Nuk mendoj se është kompetencë e BE-së t’i propozojë draft Kosovës dhe Kosova të qëndrojë gatitur dhe ta dërgojë draftin që BE-ja e propozon. Nuk pajtohem me këtë procedurë”, tha Konjufca.
Konjufca po i përgjigjej pyetjeve rreth deklaratës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili tha një ditë më parë se e ka këshilluar Qeverinë e Kosovës ta kërkojë sa më shpejt mendimin e Gjykatës Kushtetuese për një draft-statut të hartuar vitin e kaluar prej Perëndimit për themelimin e Asociacionit.
“Do të ekzistojë një përgjigje nëse [dokumenti] është kushtetues apo jo, do të dihet a ka kompetenca ekzekutive apo jo, dhe mendojmë se vetëm Gjykata mund ta japë atë vlerësim. Diçka e tillë do të krijojë një dinamikë ndryshe dhe do të reflektojë përkushtimin e Kosovës për t’i përmbushur obligimet që ka”, tha Hovenier të enjten gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në ndërtesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë.