Është e nevojshme që fillimisht të përfundojë procesi i demarkacionit ndërmjet Komunës së Tuzit dhe Kryeqytetit të Podgoricës dhe vetëm pasi ky proces të përfundojë plotësisht mund të fillojë demarkacioni ndërmjet Komunës së Zetës dhe Kryeqytetit, tha anëtari i komisionit për krijimin e kushteve për punën e komunës së sapoformuar në emër të komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj.
“Sipas Ligjit për Organizimin Territorial të Malit të Zi, është paraparë që themelimi i komunës, heqja dhe ndryshimi i territorit të komunës të bëhet me: bashkimin e dy ose më shumë komunave në një komunë të re, ndarjen e një komune në dy ose më shumë komuna të reja, aneksimin e një pjese të një komune në tjetrën, duke bashkuar pjesë të dy ose më shumë komunave në një komunë të re, me shfuqizimin e komunës dhe aneksimin e territorit të saj në një ose më shumë komuna dhe ndarjen e një pjese të një komune në një komunë të re”, thuhet në deklaratën e Gjeloshajt.
Ai tha se Ligji nuk e parasheh rastin e ndarjes së dy komunave nga një komunë, por vetëm një, kështu që, siç tha ai, fillimisht duhet të përfundojë procesi i demarkacionit dhe ndarjes së pronës ndërmjet Komunës së Tuzit dhe Kryeqytetit të Podgoricës në tërësi.
“Kjo sidomos duke pasur parasysh faktin se në kohën kur Tuzi u bë komunë, Zeta nuk ekzistonte si komunë e veçantë por si Gollubovc – komunë në kuadër të Kryeqytetit. Prandaj, është e nevojshme që fillimisht të përfundojë procesi i demarkacionit ndërmjet Komunës së Tuzit dhe Kryeqytetit të Podgoricës, i cili ndër të tjera përfshin demarkacionin territorial dhe mënyrën e ndarjes së pronës. Vetëm pas përfundimit të plotë të këtij procesi mund të fillojë demarkacioni mes Komunës së Zetës dhe Kryeqytetit”, tha Gjeloshaj.
Ai po ashtu tha se shpreson që së shpejti Tuzit t’ia kthejë emrin e tij – Malësia.
“Po ashtu, shpresoj që së shpejti Tuzi të kthejë emrin e tij, të cilin duhet ta ketë, pra Malësia, ashtu siç bëri Zeta, që më parë ishte komuna e Gollubovcit në kuadër të kryeqytetit”, tha Gjeloshaj.
Ai thotë se është theksuar se e vetmja mënyrë korrekte për të përfunduar këtë proces dhe për të shmangur probleme të reja është nëse Kryeqyteti i Podgoricës demarkohet fillimisht me Komunën e Zetës dhe më pas me Komunën e Tuzit.
“Sepse rrezikojmë që disa çështje kontestuese të mbesin në mes të komunës së Zetës dhe Tuzit, me ç’rast Ligji nuk e njeh mënyren e zgjidhjes së problemit, pra çështjeve kontestuese”, theksoi Gjeloshaj.