Komisioneri Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, mbajti një video-fjalim në Forumin e dytë Ekonomik në Shkup, të organizuar nga Forumi Ekonomik Delphi dhe Shoqata Helenike e Biznesit.
Varhelyi foli në sesionin e panelit të titulluar “Vazhdimi i Samitit në Tiranë: Anëtarësimi i Ballkanit në Bashkimin Evropian”, gjatë të cilit tha se Ballkani Perëndimor mund të llogarisë në përkushtimin dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Duke rikujtuar se gjatë samitit të fundit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, u miratua pakoja e mbështetjes për energjinë prej 1 miliard euro, Varhelyi tha se gjysma e fondeve tashmë janë dorëzuar me qëllim të zbutjes së ndikimit të çmimeve të larta të energjisë.
Ai tha se janë të disponueshme fonde shtesë për të mbështetur diversifikimin e burimeve të energjisë larg Rusisë, të fokusuar në ndërlidhjet e energjisë elektrike dhe gazit për furnizimet alternative si dhe një terminal të ri LNG në Detin Adriatik.
“Këto investime do të sjellin më shumë energji, energji më të besueshme dhe më të gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe do të kenë potencialin për ta kthyer Ballkanin Perëndimor në një pikë të re hyrjeje energjie për Evropën. Ne gjithashtu mbështesim energjinë e rinovueshme dhe projektet e efikasitetit të energjisë”, tha Varhelyi.
Komisioneri evropian theksoi se në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investiv janë miratuar 40 projekte me vlerë 1.8 miliardë euro grante nga BE-ja.
“Ndërtimi i një tregu të përbashkët rajonal është thelbësor për të çliruar potencialin e plotë të Planit Ekonomik dhe të Investimeve”, tha ai.
“Ne po ndërtojmë korsi të gjelbra jo vetëm midis vendeve, por edhe midis rajoneve tona: Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Në Samitin e Procesit të Berlinit vitin e kaluar, ne pamë përparim të rëndësishëm në tregun e përbashkët rajonal, ku liderët nga Ballkani Perëndimor nënshkruan tre marrëveshje lëvizshmërie”, tha Varhelyi.