ABAZOVIQ: ME BASHKËPUNIMIN RAJONAL, NE MUND TË KRIJOJMË NJË TË ARDHME MË TË MIRË PËR QYTETARËT NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por me bashkëpunim të mirë rajonal mund të krijojmë një të ardhme më të mirë dhe më të begatë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, theksoi kryeministri në mandat teknik Dritan Abazoviq gjatë Forumit të Dytë Ekonomik që mbahet në Shkup.

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit dhe pajtimit në Ballkanin Perëndimor, Abazoviq theksoi se kjo kërkon lëvizshmëri më të madhe të qytetarëve, ndërveprim dhe komunikim të ndërsjellë.

“Krijimi i një tregu të përbashkët rajonal inkurajon zhvillimin ekonomik dhe rritjen e standardit të jetesës së qytetarëve të vendeve tona, me zbatimin e normave dhe standardeve evropiane”, theksoi kryeministri i Malit të Zi.

Duke diskutuar për iniciativat rajonale, Abazoviq deklaroi se të gjitha nismat rajonale, pavarësisht nga emri i tyre, “synojnë ta afrojnë Malin e Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në asnjë mënyrë të mos jenë zëvendësues për anëtarësimin e plotë në familjen evropiane të kombeve”.

Qeveria thekson se Forumi Ekonomik i mbajtur në Shkup mbledh figurat më të shquara ndërkombëtare dhe vendore nga bota e politikës, biznesit, shkencës, diplomacisë, të cilët do të flasin në temën e sfidave aktuale në Maqedoninë e Veriut, rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

SHARE