SHQIPËRIA, GATI PËR REFUGJATË UKRAINAS / INSTITUCIONET, THIRRJE PËR MBLEDHJE NDIHMASH

Vijon agresioni rus mbi Ukrainën në ditën e gjashtë të tij, pasi dy palët nuk arritën në një përfundim të përbashkët nga tryeza e bisedimeve të zhvilluar në kufirin e Ukrainës me Bjellorusinë. Në këto kushte numri i refugjatëve nga Ukraina që kanë mësyrë në vendet e Bashkimit Europian sa vjen e rritet. Polonia është bërë kështu një nga vendet e para pritëse të refugjatëve të luftës, nga ku më pas do të bëhet shpërndarja nëpër vende të ndryshme të perëndimit, të shprehura të gatshme për të ndihmuar. Italia për këtë arsye ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme duke akorduar një fond prej 10 miliardë eurosh për të pritur e ndihmuar ukrainasit që i ikin luftës. Nga ana tjetër edhe Shqipëria ka shprehur gatishmërinë për të pritur refugjatë të luftës, ndonëse ende nuk ka një plan të qartë. Gatishmëria për të ndihmuar popullin ukrainas është deklaruar edhe nga Presidenti Ilir Meta, i cili të hënën i bëri thirrje shoqërisë civile të vijojë me mbledhjen e ndihmave humanitare për Ukrainën. Po ashtu në një nismë për mbledhjen e ndihmave është përfshirë edhe Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se së shpejti do të nisen ndihma konkrete drejt Kievit me batanije, veshmbathje apo ushqime, që mund të rezistojnë një kohë të gjatë. Edhe pse ende nuk ka detaje për numrin e mundshëm të refugjatëve, apo vendstrehimin e tyre, parimisht vendi ynë ka shprehur gatishmërinë për të pritur refugjatët e luftës. Shqipëria ishte një nga vendet e para që priti afganët të cilët u larguan nga vendi i tyre, pasi talebanët morën kontrollin e shtetit.

SHARE