DUHET MENJËHERË TË FILLOJNË NEGOCIATAT ME MAQEDONINË E VERIUT DHE SHQIPËRINË PËR ANËTARËSIM NË BE

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, theksoi se vendimi i parë për të parandaluar përkeqësimin e situatës në rajon është fillimi i menjëhershëm i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).  Ministri Osmani, në konferencën e rregullt javore informoi për zhvillimet e fundit në politikën e jashtme dhe zhvillimet aktuale në Ukrainë, veçanërisht për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ai tha se për shkak të mundësisë që dikush mund ta përdorë pushtimin rus në Ukrainë për të përkeqësuar situatën në Ballkan, niveli i vigjilencës është ngritur edhe në NATO edhe në BE. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, se sa janë reale vlerësimet që kriza të përhapet në Ballkan, Osmani, duke theksuar se bashkësia ndërkombëtare është alarmuar për t’i kushtuar më shumë vëmendje rajonit, tha se hapi i parë, hapi urgjent që duhet të ndërmerret është zhbllokimi i menjëhershëm i fillimit të negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian (BE). “Vendimi i parë për të parandaluar përkeqësimin e situatës në rajon është fillimi i menjëhershëm i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Osmani. Duke theksuar se gjendja në Ukrainë është duke u përkeqësuar, ministri Osmani tha se përpjekjet për bisedime që filluan dje janë ndërprerë për shkak të konsultimeve shtesë. “Megjithatë, informacionet që kemi janë se në periudhën e ardhshme pritet përshkallëzimi i armiqësive duke i komplikuar rrethanat në terren, veçanërisht krijimi i korridoreve të sigurta për evakuimin e qytetarëve tanë”, tha ministri Osmani. Në konferencë, Osmani informoi se nga gjithsej 100 qytetarë të vendit në Ukrainë, tashmë 50 janë evakuuar dhe po aq duhet të evakuohen dhe se shumica prej tyre pritet të evakuohen sot.

SHARE